Albini e bëri hapin e parë, tani duhet dialog ndërpartiak për të dalë nga kriza në Kuvend

Ish-deputeti Ilir Deda ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar politike në Kuvendin e Kosovës duke përshëndetur iniciativën e kryeministrit Albin Kurti për të ftuar në takim liderët e dy partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së.
Sipas Dedës, ky është një hap i parë i domosdoshëm drejt zgjidhjes së ngërçit parlamentar, por thekson se pa një dialog të thelluar ndërpartiak dhe një marrëveshje politike të gjerë, nuk mund të ketë dalje nga situata aktuale.

“Albini e bëri hapin e parë me dërgimin e ftesës liderëve të PDK-së dhe LDK-së. Vetëm me dialog ndërpartiak dhe me marrëveshje politike dilet nga situata e krijuar në Kuvend. Më mirë të takohen 100 herë e të mbërrijnë çfarëdo marrëveshje, se sa të vazhdohet kështu si deri tash,” ka deklaruar Deda.
Ai ka bërë thirrje që të vendoset mbi interesin e shtetit dhe të rikthehet funksionaliteti i Kuvendit, si parakusht për stabilitetin demokratik të vendit. /Kosova.info/