Aldion Mulaj – I riu që vdiq sot në aksidentin tragjik (FOTO)

Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në fshatin Tërstenik të Drenasit. Si pasojë e këtij aksidenti tragjik, ka humbur jetën i riu Aldion Mulaj, 21-vjeç.
Lajmi është konfirmuar për DrenicaOnline nga Policia Rajonale e Prishtinës, e cila përmes një njoftimi ka dhënë detaje nga vendi i ngjarjes:
“Sot rreth orës 15:00, kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me pasoja fatale në fshatin Tërstenik të Drenasit. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një motoçikletë dhe një automjet. Si pasojë, dy persona që ndodheshin në motoçikletë kanë pësuar lëndime trupore, ku fatkeqësisht njëri prej tyre nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje,” thuhet në deklaratën e Policisë.
Sipas burimeve të DrenicaOnline, viktima e këtij aksidenti është Aldion Mulaj, ndërsa personi tjetër që udhëtonte me të ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Policia e trafikut ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti të rëndë që i mori jetën të riut Aldion Mulaj.
Ngushëllime familjes dhe të afërmve të Aldion Mulaj për këtë humbje të madhe./DrenicaOnline
Për më shumë informacione dhe lajme të fundit nga rajoni, qëndroni me RepublikaTV.
