Arrestohet 16-vjeçari nën dyshimin për therjen me thikë të bashkëmoshatarit të tij në Ferizaj

Ferizaj- Shtetasi i Shqipërisë M.D (16-vjeçar) është arrestuar nën dyshimin për tentim vrasjen e F.V po ashtu 16-vjeçar) në Ferizaj. Rasti është iniciuar si vrasje në tentativë.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se rasti kishte ndodhur të dielën (27 prill), rreth orës 15:10, në rrugën “Gjon Sereqi” në Ferizaj, rapporton “Betimi për Drejtësi“.
“Viktima, F.V. (M/K), 16 vjeç, pas një mosmarrëveshjeje, është sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë (thikë), dyshohet nga tre persona, duke pësuar lëndime të rënda trupore. Pas trajtimit fillestar në emergjencën e Ferizajt, viktima është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit. Sektori i hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, pas një pune intensive hetimore në terren, ka arritur të identifikojë një person të dyshuar dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme të kërkimit”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, të hënën më 28 prill, rreth orës 12:30, në rrugën “At Nikë Prela” në Ferizaj, Policia ka arrestuar të dyshuarin M.D.,16 vejç shtetas i Republikës së Shqipërisë, me vendbanim të përkohshëm në Ferizaj.
“Gjatë kontrollit trupor ndaj të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një thikë që dyshohet të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale. Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 24 orë, në pritje të procedurave të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.