Beteja për Albulenën kryetare të Kuvendit, pse s’e duan dhe çfarë ofron Vetëvendosje?

Albulena Haxhiu është emri i propozuar për kryeparlamentare të re që partitë e tjera të mëdha politike shqiptare nuk e duan. Në rreshtin e parë të betejave politike të Vetëvendosjes, e së cilës i janë besuar shumë pozita me rëndësi si në parti ashtu edhe në Qeveri, Haxhiu nuk shihet si kandidate e përshtatshme për të marr votat e partive që deri dje ishin në opozitë.
“Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katër vjeçarin e kaluar, krejt mandatin e ka pasur të përcjellun me skandale të ndryshme”, tha Memli Krasniqi, PDK. “Koalicionet i kanë pasur votat edhe për kryetarë të Kuvendit ose ka pasur raste kur kandidati i propozuar ka qenë i pranueshëm për të gjitha grupet politike të përfaqësuara në Kuvend gjë që nuk është rasti me tani”, u shpreh Hykmete Bajrami, LDK.
“Një kandidat më konsensual se Haxhiu, ne kemi dhënë disa mendime, po të ishte ndonjë kandidat tjetër do ta kishim më lehtë për ta votuar”, tha Haradinaj. Vetëvendosje nuk dëshiron të ndryshojë emër për kryeparlamentare prandaj është e hapur për një tjetër mundësi. “T’i thërrasim të gjitha grupet politike, të konstituojmë Kuvendin dhe të dakordohemi që me 80 vota e shpërndajmë menjëherë Kuvendin dhe të shkojmë menjëherë në zgjedhje të tjera”, u shpreh Mimoza Kusari-Lila, Lëvizja Vetëvendosje.
Për herë të parë, Vetëvendosje artikuloi edhe mundësinë e marrëveshjes politike. Partia e Kurtit ofron partive të tjera që do t’ju japi 57 votat e saj për të zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit që vjen në radhë menjëherë pas zgjedhjes së kryeparlamentarit. “Në momentin kur ata votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit pastaj në pako ne votojmë edhe 3 nënkryetarë të Kuvendit, është marr si e mirëqenë por jo domosdoshëmrisht duhet të jetë ashtu”, tha Kusari-Lila.
PDK e LDK nuk pajtohen me konstatimet se zgjedhja e kryetarit është e njëjtë me ata të nënkryetarëve. “Shumica parlamentare e sjell marrëveshjen, ne s’kemi marrëveshje këtu, as nuk do të bëjmë marrëveshje, në asnjë formë me LVV-në nuk mund të kemi marrëveshje”, u shpreh Krasniqi. “Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin e Republikës së Kosovës ndërkohë që nënkryetarët janë përfaqësues të grupeve politike dhe kjo është arsye pse ata votohen në pako”, tha Bajrami.
Seanca u shty për të mërkurën në ora 10:00 ku deputetët do të mblidhen sërish në përpjekje për të konstituuar Kuvendin. Në gjithë këtë situate më i qetë duket Fatmir Limaj i Nismës që po pret një ftesë nga Albin Kurti. “Unë besoj se ishte një qëndrim korrekt, ky është realiteti. Në situatën të cilën është duhet gjetur një rrugë për të ecur më tutje”, tha Fatmir Limaj, NISMA.