Çka deklaruan para gjykatës të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika?

Më 22 prill, Gjykata Themelore në Ferizaj ka miratuar kërkesën e Prokurorisë duke vendosur që gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, të qëndrojnë në paraburgim për një periudhë prej 30 ditësh secili. Personat në fjalë janë Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi. Ngjarja ka ndodhur më 1 prill në Kaçanik.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori Ismet Rrahmani ka qëndruar pas kërkesës për paraburgim, duke argumentuar se dyshimet mbi të dyshuarit mbështeten në prova konkrete të përfshira në dokumentacionin e lëndës.
Detajet e ngjarjes
Prokurori shpjegon se më 1 prill rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, të dyshuarit, me veprime të koordinuara dhe qëllim të parapërgatitur, dyshohet se kanë organizuar vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, i cili sapo kishte përfunduar turnin në Stacionin Policor të Kaçanikut dhe po kthehej në banesë.
Haki Bela, pasi kishte qëndruar në lokalin e tij “Aksa”, niset drejt stacionit policor dhe në ora 22:53 përballet me viktimën. Pas një momenti, ai kthehet dhe dyshohet se ndjek viktimën. Në të njëjtën kohë, Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika, nga një veturë tip “Opel Astra”, e përcjellin rrugën e viktimës. Edmondi më pas kalon në një tjetër veturë “Golf 2” dhe ndjek viktimën me dritat e fikura.
Sipas Prokurorisë, një i mitur me inicialet R.B. shihet në pamjet e kamerave duke ecur pas viktimës dhe duke hyrë në ndërtesë menjëherë pas tij. Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja 9.19 mm. Viktima u transportua në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku u konstatua vdekja si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit.
Pas ngjarjes, R.B. shihet duke ikur me vrap dhe më pas takohet me të dyshuarin Murati, me të cilin largohet nga zona. Pamjet e sigurisë dokumentojnë gjithashtu lëvizjet e të dyshuarve të tjerë dhe ndihmën që Diamant Gashi dyshohet se i ka ofruar të miturit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Haki Bela gjithashtu është parë në vendin e ngjarjes rreth 14 minuta pas vrasjes.
Çfarë deklaruan të dyshuarit në gjykatë?
Haki Bela, në deklaratën e tij, shprehu keqardhje për ngjarjen dhe tha se nuk ka pasur asnjë konflikt me viktimën apo familjen e tij. Ai deklaroi se është i pafajshëm dhe e frekuenton shpesh rrugën ku ndodhi ngjarja, pasi aty ndodhet edhe banesa dhe lokali i tij. Avokati i tij, Urim Bajraktari, kërkoi një masë alternative sigurie, duke pretenduar se mungojnë provat për përfshirjen e klientit në vepër penale.
Edhe Rilind Murati mohoi përfshirjen në ngjarje. Avokati i tij, Musa Konxheli, argumentoi se nuk ka prova të mjaftueshme për të lidhur Muratin me vrasjen, ndërsa deklaratat e dhëna më herët nuk janë të mjaftueshme për të ndërtuar një dyshim të arsyeshëm.
Vatan Çaka ka deklaruar se ka shkuar në vendin e ngjarjes vetëm nga kureshtja, pas alarmit të Policisë dhe informatave të shpërndara në rrjetet sociale. Ai tha se ka respekt për veteranët e UÇK-së, pasi edhe babai i tij është një i tillë. Avokati Ngadhnjim Rudi ka vënë në dyshim bazueshmërinë e kërkesës së Prokurorisë për paraburgim.
Edmond Lika tha se praninë e tij në vendin e ngjarjes e ka pasur rastësisht dhe se nuk ka lidhje me ngjarjen. Avokati Hesat Agushi argumentoi se mungojnë provat konkrete që ta lidhin klientin e tij me vrasjen.
Shkëlqim Kuka gjithashtu mohoi përfshirjen, ndërsa avokati i tij Kastriot Zenuni theksoi se pretendimi se Kuka po vëzhgonte viktimën nuk qëndron, pasi i njëjti veprim bëhej shpesh për shkak të zonës së frekuentuar. Sipas tij, nuk ka prova për bashkëkryerje.
Diamant Gashi u deklarua i pafajshëm, duke thënë se nuk ka qenë i pranishëm dhe nuk ka dijeni për ndodhinë deri të nesërmen në mëngjes, kur e ka informuar prindi i tij. Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi theksoi se dyshimet ndaj Gashit nuk mbështeten në fakte të qëndrueshme dhe kërkoi që ndaj tij të caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Ndërkohë, më 21 prill, paraburgimi ishte caktuar edhe për të miturin R.B.