Dërrasa mbi shina, stacioni i ri për udhëtarët e Podujevës

Pas vendimit të Komunës së Prishtinës për të ndaluar qarkullimin e autobusëve ndërurbanë brenda qytetit, udhëtarët nga Podujeva janë përballur me vështirësi serioze. Pranë Xhamisë së Llapit, një strukturë e improvizuar me dërrasa edhe atë në kohën e Bienales së Manifestas, tani po shërben si stacion për ta – vend i pasigurt dhe pa kushte. Udhëtarët shprehen të zhgënjyer dhe kërkojnë kthimin e itinerarit të vjetër, duke e quajtur ndarjen nga Prishtina një padrejtësi. Komuna ka një arsyetim.
Ngjitur me Xhaminë e Llapit, mbi shinat e vjetra të trenit, disa dërrasa improvizojnë pritoren për udhëtarët e Podujevës, e që në fakt ishin vendosur si ndërhyrje në hapësirat publike në kohën kur Prishtina ishte nikoqire e Manifestas.
Çdo 15 minuta kur edhe është koha e ndalimit të këtyre autobusëve, ky vend mbushet plotë por prapë, autobusi rrallë ndalet aty.
E edhe kur ndalet, bllokon trafikun.
I lodhur me këtë situatë shprehet edhe Bashkim Bunjaku i cili fajtor, lë kryetarin e qytetit.
“Na kanë marrë në qaf, po ka edhe shkallë të papërshtatshme me u lëshu, neve na kanë nda prej kryeqytetit, Podujevën e kanë ndarë nga Prishtina, është padrejtësi e madhe. Kërkesa ime është të bëhet si më parë, të kthehet autobusi siç ka bërë për 60 vjet”, ka thënë Bunjaku.
Si Bunjaku ka edhe qytetarë të tjerë që shprehen të zhgënjyer.
Por nga Komuna, këtë e arsyetojnë si të vetmen alternativë.
“Është mundësia më e përshtatshme dhe më e mirë që mund të përdoret për shkak të kushtevë teknike të rrugës…zgjidhje të tjera do të ketë në të ardhmen, do të shqyrtojmë mundësitë po varësisht prej hapsirave që duhet të ofrojnë edhe sigurinë. Distanca ku është për momentin nuk i plotëson kushtet sepse kemi shqyrtuar të mos lejojmë fare qarkullimin sepse si ka as elementet e sigurisë por tani për tani është më e përshtatshmja, deri të caktojmë një lokacion të ri”, ka thënë Halil Halili, nga drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë.
Vendimi për autobusët e Podujevës erdhi pasi Komuna e Prishtinës mori vendim që autobusët ndërurbanë të ndalojnë përdorimin e rrugëve brenda qytetit dhe të devijojnë itinerarin e tyre duke hyrë dhe dalë vetëm nga Stacioni i Autobusëve./RTV Dukagjini