Favorizim në test për punësim në ‘Hidromorava’, ndalohet i dyshuari

[ad_1]
Hetuesit policorë të Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në këtë qytet, kanë zhvilluar hetime intensive lidhur me një rast të dyshuar të keqpërdorimit të pozitës zyrtare në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Hidromorava”.
Bazuar në provat e mbledhura, hetuesit kanë arritur të sigurojnë dyshime të bazuara se anëtarë të komisionit të kësaj kompanie, të caktuar për zhvillimin e procedurave të dy konkurseve për punësim, kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar një kandidat përmes dhënies paraprake të pyetjeve dhe përgjigjeve të testit me shkrim.
Sipas hetimeve, njëri nga anëtarët e komisionit, me inicialet V.M. (i lindur në vitin 1984), dyshohet se ia ka dorëzuar paraprakisht pyetjet e testit një kandidati duke i mundësuar këtij të fundit avantazh të padrejtë në garën për punësim.
Sot, më 29 prill 2025, të gjithë anëtarët e komisionit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve në zyrat e NJRHKEK-Gjilan, në prani të avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare. Gjatë intervistimit, është zbuluar se pikërisht V.M. ka qenë personi që ka dhënë pyetjet për testin me shkrim për një nga kandidatët.
Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit V.M. për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërkaq, katër anëtarët e tjerë të komisionit janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet rreth këtij rasti po vazhdojnë, ndërsa autoritetet janë zotuar për trajtim të paanshëm dhe të drejtë të çdo forme të keqpërdorimit në institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore. /Kosova.info/