Gjendet pa shenja jete një grua në banesën e saj në Pejë

Një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në Pejë, pas një njoftimi nga një person i afërt me viktimën, i cili kishte raportuar se nuk kishte mundur të kontaktonte me të që nga mbrëmja e 27 prillit.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, ka hapur derën e hyrjes me forcë. Trupi i pajetë i viktimës është gjetur në tarracën e banesës, dhe është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar informacionin për RTKlive.
“Sot me datë 28.04.2025, rreth orës 09:25, Policia është njoftuar nga një person i afert me viktimen, i cili deklaron se qe nga data 27.04.2025, në mbrëmje viktima nuk është duke ju përgjigjur në telefon. Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjës, dhe me urdhër të prokurorit te shtetit e ka hapur derën e hyrjës me forcë, derisa në terasën e banesës është gjetur një person (femër) pa shenja jete, këtë e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjës”, ka thënë Rugova.