Gjykata e Apelit hedh poshtë padinë

Pas një beteje të gjatë ligjore që zgjati rreth 15 vjet, gazetari Jeton Musliu ka fituar përfundimisht çështjen gjyqësore ndaj Bujar Dugollit. Gjykata e Apelit në Prishtinë ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe ka hedhur poshtë padinë e ngritur kundër Musliut, që lidhej me një artikull të vitit 2007, kohë kur ai punonte si gazetar në Gazetën Express.
Përmes një reagimi publik, Musliu theksoi se, megjithëse kjo periudhë ishte e gjatë dhe e vështirë, vendimi përfundimtar i Apelit përfaqëson vendosjen e drejtësisë. Ai falënderoi në veçanti zyrën e avokatisë “Koci & Vokshi Law Firm” dhe avokatët Arianit Koci dhe Arlind Fetahu për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm profesional.
“Kur lexohet Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, ndjej se nuk kam për të thënë asgjë më tepër, përveç një falënderimi të përzemërt për përfaqësimin e tyre të jashtëzakonshëm”, shkroi Musliu. Ai shtoi se me këtë vendim, edhe për të personalisht, kjo çështje konsiderohet e mbyllur.
Në fund, Musliu shprehu bindjen se drejtësia, sado që të vonojë, mbetet themeli më i rëndësishëm i shoqërisë. /Kosova.info/