maxresdefault

Humbës të dobët, në unitet të plotë me Listën Serbe

Humbës të dobët, në unitet të plotë me Listën Serbe


Deputetja Donika Gërvalla, i ka quajtur “humbës” partitë tjera pasi u dështoi propozimi që votimi për kryeparlamentar në Kuvend të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Ajo ka akuzuar PDK-në, LDK-në, AAK-në për bllokadë, duke përmendur këtu edhe Listën Serbe.

“Bllokada vazhdon. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të gjithë së bashku, kundër votimit të fshehtë për Kryetar të Kuvendit, si mundësi për zhbllokim të proceseve. Mes tyre dhe Listës Serbe unitet i plotë, ndaj deputetëve të tyre mosbesim total. Humbës të dobët”, ka shkruar Gërvalla.


VV-ja në seancën e sotme konstituive, të nëntën me radhë, propozoi që  në Kuvend votimi për kryeparlamentar të bëhet me votë të fshehtë, por nuk nuk mori votat e mjaftueshme që ta kalojë këtë propozim që nga partitë tjera u konsiderua si arbitrar dhe në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK-ja dolën kundër ndryshimit të formës së votimit për Kryeparlamentar. Kundër doli dhe Lista Serbe. Asnjëra nga këto parti s’kanë propozuar anëtarë Komisioni.

Seanca është shtyrë për të shtunën, më 3 maj. /Reporteri.net/






Nga dalja “e fshehtë”, drejt e në Audi: Mënyra që Albulena Haxhiu e zgjodhi sot për t’u ikur gazetarëve

Reporteri

01 Maj 2025 | 13:07

Për dallim nga herat tjera, kur dhe deklarohej pas dështimeve të seancave në përzgjedhjen e saj për Kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu të enjten zgjodhi një dalje tjetër të këtij institucioni, shkruan Reporteri.net.

Haxhiu shihet duke dalë nga një pjesë tjetër e Kuvendit dhe duke u drejtuar për në veturën zyrtare të saj, në pamjet e publikuara nga Nacionale.

Deputetja Haxhiu në seancën e sotme nuk arriti as të propozohej, pasi kërkesa e VV-së ishte që të kësaj radhe të bëhej votimi i fshehtë për Kryeparlamentar, por që as Komisioni s’mori votat e mjaftueshme.

Propozimi i VV-së për Haxhiun ka dështuar plot shtatë herë, derisa për dallim nga seancat e kaluara ku pati marrë 57 vota, në atë të 29 prillit deputetja arriti të merrte veç 54 vota pro saj.

/Reporteri.net/






Gani Geci shkon te Kuvendi pak pas deklaratës së Pecit: S’i kam çu SMS për bashkëpunim

Reporteri

01 Maj 2025 | 11:54

Ish-deputeti Gani Geci ka shkuar te Kuvendi i Kosovës, pak pasi deputeti Faton Peci derisa po hynte në seancën e sotme, ka deklaruar se Gani Geci iu ka dërguar mesazh dikujt nga koalicioni LVV-GUXO ku ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim.

Këtë Peci e ka thënë si kundërpërgjigje ndaj mesazheve që Gani Geci ka publikuar e ku ka treguar se është telefonuar nga Glauk Konjufca për votën e Marigona Gecit.

“Unë jam taku me Faton Pecin njëherë jemi ardhë prej Gjermanisë në Kosovë, kur ka dalë në një konferencë se po don me i kthy pronat e ministrisë së Bujqësisë, i kam dërgu SMS dhe ia kam dërgu disa prona që kam dyshu që janë të uzurpuara, nuk mu ka përgjigj, unë tentova me i këqyrë ata SMS dhe ma qitke që ky numër nuk ekziston.

Unë nuk jam ai që i çoj dikujt SMS për bashkëpunim, kurrë në jetë, kom menu që ata lista Guxo janë me LDK-në, tash po shihet që janë japanxhë e VV-së”, tha Geci para Kuvendit.

 






KDI: Ndryshimi i votimit brenda seancës vendim arbitrar që cenon integritetin e Kuvendit – precedent i rrezikshëm

Reporteri

01 Maj 2025 | 11:42

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dalë me reagim pas zhvillimeve në seancën e sotme, ku pati përpjekje për ta ndryshuar votimin për zgjedhjen e kryeparlamentarit në të fshehtë, duke thënë se ky  është vendim arbitrat që cënon integritetin e Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

Sipas KDI, ndryshimi i votimit në mes të seancës përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit.

“Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare. Çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit”, thuhet në reagim.

KDI ka ftuar kryesuesin e seancës, Avni Dehari, dhe të gjithë deputetët, e në veçanti grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara në Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që i kërkon funksioni përfaqësues./Reporteri.net






“16.1%, Qeveri=ZRrE”, Haki Abazi me aksion te objekti i qeverisë në kohën kur po mbahej seanca

Reporteri

01 Maj 2025 | 11:39

Në kohën kur po mbahej seanca për konstitumin e Kuvendit të Kosovës, ish-deputeti Haki Abazi ka zhvilluar një aksion te objekti i Qeverisë.

Ai ka shkruar po në hyrje të objektit rritjen e çmimit të energjisë 16.1%.

Derisa në shkallët e hyrjes së objektit ka shkruar “Qeveri=ZRrE”.

/Reporteri.net/






Murati: Partitë tjera politike dolën kundër ende pa dëgjuar propozimin për Kryeparlamentar

Reporteri

01 Maj 2025 | 11:19

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka thënë se kanë propozuar si rrugëdalje mënyrën e fshehtë të votimit që të mundësohet ecja përpara, shkruan Reporteri.net.

Sipas tij, partitë tjera politike, ende pa dëgjuar kandidatin për Kryepalrmanetar vendosën të dalin kundër, por që sipas tij opozita janë kundër edhe pa u propozuar kandidati.

“Është e qartë se kush po e bllokon. Kemi PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe që bllokuan. Ata ende pa e dëgjuar kandidatin vendosën që të dalin kundër. Besoj që Glauk Konjufca do ta propozonte Haxhiun, por parimisht opozita janë kundër ende pa u propozuar kandidati”, tha ai.

Sipas tij, VV-ja ka provuar çdo mënyrë që të dilet nga kjo situatë e të vazhdohet përpara, duke përmendur këtu ftesën e Kurtit për takim me Abdixhikun dhe Krasniqin.

“Kemi provuar gjithçka që është e mundur. Kemi ftu edhe sot në takim. Kurti ka ftuar dy kryetarët e partive më të mëdha për konsultime, pasi duhet të gjejmë një rrugë dhe e kemi parë që LDK s’ka ardhur fare dhe mezi s’kanë pritur të dalin kundër, ndërkaq PDK ka ardhur por e kanë përsëritur argumentin që pozita e nënkryetarit u takon me Kushtetutë. Por është argumenti që dhe ne e përdorim për Kryetarin”, shtoi tutje ai.

/Reporteri.net/






Abdixhiku reagon nga Spanja për situatën në Kuvend: A po e kuptoni tash pse nuk takohemi me ta?

Reporteri

01 Maj 2025 | 11:17

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar nga Spanja pas dështimit të seancës konstituive e përpjekjes së VV’së për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryemparlamentare, me votë të fshehtë.

Abdixhiku ka thënë se këto veprime janë arsye për refuzimin e tij e LDK’së që të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ftesë që u pranua nga Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, shkruan Reporteri.net.

“A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim? Të takojnë, të mashtrojnë! Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë. Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë!
Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se kjo politikë duhet të marrë fund dhe se LDK’ja do të jetë ajo që do ta bëjë këtë.

“Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë. LDK e ka të qartë.  Prandaj është konsistente.  Para, gjatë e pas zgjedhjeve. Prandaj votuesi e mbështetësi i LDK-së sot rri krenar!✌️”, ka shkruar Abdixhiku. /Reporteri.net






Bajrami: S’ka ndodhur në histori të ndryshohet procesi pasi të ketë filluar – Haxhiu s’bëhet Kryetare me votat e LDK-së

Reporteri

01 Maj 2025 | 11:08

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami pas dështimit të seancës konstituive ka thënë se sot u bë edhe një shkelje tjetër, ku në mes të procesit u kërkua që të ndryshohet forma e votimit për Kryeparlamentarin, shkruan Reporteri.net.

Sipas saj, Rregullorja e përcakton edhe formën e fshehtë por para se të nis procesi.

“Shpreh keqardhjen tonë për dështimin e radhës në konstituimin e Kuvendit. Pos dështimeve sot u bë edhe një shkelje tjetër me arbitraritet me një proces të votimit që tashmë ka filluar. U tentua të ndryshohet mënyra e votimit. Në fakt, Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit, që është mënyra e fsheht dhe e hapur por në fillim të procesit përcaktohet. S’ka ndodhur në histori të institucioneve të Kosovës të ndryshohet procesi pasi të ketë filluar”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së tha se VV-ja po refuzon të konstituoje institucionet, veç për shkak emrit të Albulena Haxhiut.

“Ne sot flasim për një emër të vetëm, atë të Haxhiut. Ata që kanë votuar VV-në duhet ta dinë që jemi duke shkuar drejt një proces të zgjedhjeve, jo sepse si parti politike nuk po pajtohemi se si ta adresojmë inflacionin, apo si ta luftojmë mafinë energjetike, apo mënyrën e arsimit apo papunësinë, por sepse partia fituese e cila i ka 48 ulëse në Kuvend e ka një problem të vetëm, në emrin e Albulena Haxhiut. Dhe në qoftëse shkojmë në zgjedhje, shkojmë sepse VV po refuzon të konstituojë institucionet, po dëshiron t’i përsërisim zgjedhjet për ta bërë Haxhiun Kryetarpalemtnare”.

Ajo theksoi se Haxhiut s’do të bëhet Kryetare e Kuvendit me votat e LDK-së, ndërsa përsëritit se s’bëjnë marrëveshje politike me VV-në.

“S’dëshirojmë të kemi marrëveshje politike me VV-në, ka qenë edhe arsyeja që s’kemi marrë pjesë në takim. Pse me marrë pjesë kur na diktohet se si të votojmë”, tha ajo para gazetarëve.

/Reporteri.net/






Krasniqi: Votimi i fshehtë do kishte kuptim vetëm nëse janë dy kandidate – VV po ka frikë se do të bëhet horë sepse i ka veç 55 vota

Reporteri

01 Maj 2025 | 11:05

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar pas dështimit të sërishëm të seancës konstituive dhe përpjekjes për ndryshim të mënyrës së votimit për Kryeparlamentare, në votim të fshehtë.

Krasniqi tha se kjo mënyrë e votimit do të kishte kuptim nëse do të kishte dy kandidatë, por se është e pakuptimtë në këtë rast kur e vetmja kandidate është Albulena Haxhiu, shkruan Reporteri.net.

Ai tha se më këtë votim VV aktualisht i ka vetëm 55 vota nga 57 sa i kishte.

“Ka kuptim votimi i fshehtë, kur ka dy kandidate.  Kur ka dy kandidatë, ka njëfarë kuptimi; Po në këtë rast nuk bën, se është vec një kandidate. Frika e tyne po besoj me u ba horë, është duke i shti në aventura jo kushtetuese të përcunduara”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai bëri të qartë edhe njëherë se Haxhiu nuk do të votohet.

“55 vota i kanë, as 57 që i kanë pas ma herët. Nuk kalon Albulena Haxhiu. Këtë e di z.Kurti. Qytetarët nuk i kanë borxh për me e mbajtë të bllokum Kuvendin për me ba një shoqë të tij Kryetarë Kuvendi”, shtoi Krasniqi./Reporteri.net

 

 






VV dështon që arbitrarisht ta mundësojë votimin e fshehtë për Kryeparlamentarin

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:57

Ka dështuar propozimi i VV-së në Kuvend që votimi për kryeparlamentar të bëhet me votë të fshehtë.

VV-ja nuk mori votat e mjaftueshme që ta kalojë këtë propozim që nga partitë tjera u konsiderua si arbitrar dhe në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dolën kundër ndryshimit të formës së votimit për Kryeparlamentar.

Asnjëra nga këto parti s’kanë propozuar anëtarë Komisioni.

Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, tha se kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme. Sipas Krasniqit, ndryshimi i mënyrës së votimit do të duhej të bëhej në fillim të procesit.

“z.Kurti të thash nuk keni të drejtë në mes të votimit me ndryshu formën e votimit. Prej kur ka Kuvend, kjo është e paprecedentë. Sikur të kishi vendos në fillim ndoshta do të ishte e pranueshme, por tani s’është e pranueshme. Mos e thelloni krizën…Propozoni dikë që i merr votat dhe ju e dini që ka në mesin tuaj të tillë”, deklaroi Krasniqi.

Ndërkohë, Hykmete Bajrami nga LDK deklaroi se do ta dërgojnë këtë lëndë në Kushtetuese.

Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Nuk mundesh me e ndryshu mënyrën e votimit pasi ke hy në proces. Ne jemi në proces dhe krejt çka lejohet është të procedojmë me votim. Në qoftë se procedoni, ne këtë lëndë do ta dërgojmë në Kushtetuese”, ka thënë Bajrami.

Votimin e fshehtë e ka refuzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe Lista Serbe.

Seanca është shtyrë për të shtunën, më 3 maj. /Reporteri.net/

 






Kadrijaj pas kërkesës së VV-së për votim të fshehtë: Zdravo Mimoza, s’bëhemi pjesë e cirkut tuaj

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:56

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj pas propozimit të VV-së për votim të fshehtë në zgjedhjen e Kryeparlamentarit, ka thënë se kjo parti nuk bën pjesë e këtij cirku, shkruan Reporteri.net.

Ajo madje me deputetët e VV-së që sipas saj po qeshnin, ajo ju drejtua duke ju thënë “Zdravo Mimoza”.

“Aleanca ka dhënë alternativa dhe ju si keni pranuar ato, andaj s’do të bëhemi pjesë e cirkut tuaj. Sa për buzëqeshjet tuaja, veç po ua rikujtoj “Zdravo Mimoza”, tha Kadrijaj.

/Reporteri.net/






PDK e LDK nuk propozojnë anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë: Po e thelloni krizën, është jokushtetuese

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:52

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dalë kundër ndryshimit të formës së votimit për Kryeparlamentare, pasi Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që votimi të bëhet i fshehtë.

Asnjëra nga këto parti s’kanë propozuar anëtarë Komisioni, shkruan Reporteri.net

Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, tha se kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme. Sipas Krasniqit, ndryshimi i mënyrës së votimit do të duhej të bëhej në fillim të procesit.

“z.Kurti të thash nuk keni të drejtë në mes të votimit me ndryshu formën e votimit. Prej kur ka Kuvend, kjo është e paprecedentë. Sikur të kishi vendos në fillim ndoshta do të ishte e pranueshme, por tani s’është e pranueshme. Mos e thelloni krizën…Propozoni dikë që i merr votat dhe ju e dini që ka në mesin tuaj të tillë”, deklaroi Krasniqi.

Ndërkohë, Hykmete Bajrami nga LDK deklaroi se do ta dërgojnë këtë lëndë në Kushtetuese.

Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Nuk mundesh me e ndryshu mënyrën e votimit pasi ke hy në proces. Ne jemi në proces dhe krejt çka lejohet është të procedojmë me votim. Në qoftë se procedoni, ne këtë lëndë do ta dërgojmë në Kushtetuese”, ka thënë Bajrami./Reporteri.net






Propozohet ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Kryeparlamentarit, VV kërkon të bëhet me votë të fshehtë

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:45

Kryesuesi, Avni Dehari ka propozuar që në seancën e sotme votimi për Kryeparlamentarin të bëhet me votë të fshehtë, shkruan Reporteri.net.

Para deputetëve në Kuvend, Dehari tha se duke marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Kryepalrmanetarit, ku votimi mund të jetë i hapur, fshehtë e çfarëdo forme ka konsideruar që kjo është forma e duhur.

“Marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ku thuhet se votimi mund të jetë i formës së hapur, i fshehtë apo çfarëdo forme tjetër, dhe bazuar në Rregullore e punës së Kuvendit, e cila në nenin 61 paragrafi 4, e parasheh edhe votimin e fshehtë, me qëllim të hapjes rrugë për zhbllokimin e procesit, konsideroj që forma e duhur që mund të hapë rrugë për konstituimin është votimi në mënyrë të fshehtë me fletëvotime të fshehta”, tha Dehari.

/Reporteri.net/.






Duda Balje kthehet në Kuvend pas disa mungesave: S’kemi ndryshuar qëndrim

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:31

Deputetja boshnjake, Duda Balje pas disa mungesave, sot po merr pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, e nënta me radhë.

Balje tha se qëndrimi i saj mbetet i njëjtë dhe nuk do ta votojnë kandidatin për kryeparlamentar të propozuar nga VV-ja.

“E kemi qëndrimin e njëjtë. Bëhet fjalë për mosmirëkuptim nga partia në pushtet, për tretmanin që e kemi si para ashtu edhe pas zgjedhjeve dhe ne si parti nuk e votojmë”, tha Balje.

Ajo po ashtu konfirmoi se ka pasur takime me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, por tha se ende nuk kanë marrë vendim nëse do t’i bashkangjiten grupit të tyre parlamentar.

“Ne jemi taku me Ramush Haradinaj, por nuk e kemi vendosë hala me u bashkangjitë në grupin parlamentar të AAK-së”, tha Balje para mediave. /Reporteri.net/






“Shoqëri aksionare”, Zemaj i përgjigjet Pecit: I mjeri ai që e ka lëshu LDK-në dhe akoma e ka dashurinë për të

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:15

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj para seancës konstituive, i është përgjigjur Faton Pecit i cili LDK-në e quajti “shoqëri aksionare”, shkruan Reporteri.net.

Sipas Zemajt, mjer ai që nuk është më pjesë e LDK-së.

“I mjeri ai i cili e ka lëshu LDK-në dhe akoma e ka atë dashurinë për LDK-në, por ky është realitet tjetër. LDK ka organet e saj, ka deputetët e saj. Për përgjigjet tjera shihemi në seancë”, tha deputeti i LDK-së.

I pyetur për kërkesën e Pecit për të votuar kandidaturën e tyre për Kryeparlamentar, Zemaj tha se do ishte i fundit që do t’i përgjigjej.

“Prej 120 deputetëve është i fundit që ju kisha përgjigj”, tha Zemaj.

Deputeti dhe një nga kryetarët e Listës Guxo, Faton Peci e quan LDK-në “shoqëri aksionare”.

“LDK kam përshtypjen që është shndërru në një shoqëri aksionare, sikur është e privatizume dhe varet se çka thonë aksionarët. Duke qenë se kam qenë një kohë të gjatë pjesë e LDK-së, ajo në të cilën është angazhu LDK në të kaluarën, nuk ka të bëj me këtë sot. Imagjinoni nëse ndjeket ky diskurs i LDK-së, ku refuzohet zhbllokimi i Kuvendit dhe institucioneve”, tha ai.

/Reporteri.net/






Limaj: Marrëveshjet politike duhet të ndërtohen që të formohen institucionet, besoj do të ndodhë shumë shpejt

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:12

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj para vazhdimit të seancës konstituive ka thënë se Kryetari i Kuvendit si dhe Qeveria është vështirë të bëhen pa një marrëveshje politike e cila vendos shumicën parlamentare, shkruan Reporteri.net.

Sipas tij, kjo është rruga si bëhet politika dhe si është bërë edhe në të kaluarën.

Ai theksoi se marrëveshjet politike duhet të ndërtohen dhe beson se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt.

“Siç kam thënë dhe herën e kaluar, konstituim të Kuvendit dhe Qeverisë vështirë është të bëhet pa një marrëveshje politike të koalicionit i cili e përcakton dhe e vendos shunmicën parlamentare, dhe ajo shumicë zgjedh Kryetarin dhe Qeverinë, sipas mandatit ligjor të dhënë nga qytetarët e Kosovës dhe sipas Ligjeve e Kushtetutës.

“Shpresoj e besoj atë që po e them qe një kohë, kjo është rruga që bëhet politika. Marrëveshje politiket duhet të ndërtohen, dhe ajo shumicë pastaj udhëheq në ndërtimin e institucioneve dhe po besoj që kjo do të ndodhë shumë shpejt”, tha Limaj.

/Reporteri.net






Haziri thumbon Pecin: Asnjëherë nuk kemi ble bari të rriqrave në vend të zëvendësimeve, e ke gërrye politikisht LDK’në

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:10

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, është deklaruar para vazhdimit të seancës konstituive, lidhur me mospjesëmarrjen e LDK’së në takimin e thirurr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Haziri tha se LDK’ja nuk merr pjesë në takime vetëm sa për të marrë pjesë, por vetëm për të kryer punë.

Ai tha se po qe se LDK’ja do të ishte në pozitën e Vetëvendosjes, çështja e Kuvendit dhe Qeverisë do ishte kryer para pesë javësh, shkruan Reporteri.net.

“Nuk ka nevojë të ketë takim politik për procedura siç po thotë z. Kurti…Nuk shkohet në takim për të drejtën e fitume dhe natyrisht këtu po mungon një marrëveshje politike që partia e parë duhet me realizu për Kuvend apo Qeveri sido që e kanë planin…Me pas qenë LDK’ja në këtë pozitë, ne para pesë jave e kishim përmbyllë edhe Kuvendin edhe Qeverinë, edhe çështjen e Presidentes e kishim zbardh”, tha Haziri.

Sipas tij, s’ka vullnet politik për të gjetur zgjidhje.

“Ne shkojmë në takim vetëm për me kry punë”, shtoi Haziri.

Ai shtoi se Kryetarja e Kuvendit zgjedhet vetëm me votë dhe për këtë duhet të ketë marrëveshje politike

Haziri ka komentuar edhe deklaratën e Faton Pecit, i cili e quajti LDK’në “shoqëri aksionare”. Haziri tha se disa që kanë dalë nga kjo parti e kanë “gërryer” LDK’në, duke aluduar për Pecin.

“Po njerëzit që dalin prej LDK’së nuk i marrin vlerat me vete, po së paku duhet me iu marr kujtimet e mira me vete. LDK’ja asnjëherë nuk ka ble bari të rriqnave në vend të zëvendësimeve tjera dhe nuk u fëlliq politika me situate të tilla.  Ju kisha lut me qenë shumë të kujdesshëm në këtë raport se LDK’ja është institucion politik ku shumë njerëz janë rrit, janë eduku, e pjekë politikisht. Por, ka edhe shumë të tillë që e kanë konsumu LDK’në e kanë shfrytëzu LDK’në, jo si trampolinë politike por e kanë gërry politikisht LDK’në për motive politike. Nëse u ec kështu, le tu ec…Vlera nuk kanë marrë, por interesa politike”, deklaroi ai./Reporteri.net






Peci: LDK-ja është shndërruar në një “shoqëri aksionare”, nuk ka të bëjë aspak me LDK-në e së kaluarës

Reporteri

01 Maj 2025 | 10:08

Deputeti  dhe një nga kryetarët e Listës Guxo, Faton Peci e ka quajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës ‘shoqëri aksionare’, pasi nga kjo parti refuzuan ftesën për takim që kreu i VV-së, Albin Kurti ua bëri në prag të seancës së sotme konstituive të Kuvendit, e nënta me radhë.

Peci tha se LDK-ja e sotme nuk i ngjan aspak LDK-së së të kaluarës dhe atë për çka ajo angazhohej, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Unë e kam thënë edhe në një paraqitje tjetër, që LDK-ja kam përshtypje që është shndërru në një shoqëri aksionare, sigurisht e privatizume dhe tani varet se çka thonë aksionarët.  Kam qenë një kohë të gjatë në LDK. Ajo për të cilën LDK është angazhuar nuk është kjo LDK e sotit por si duket rruga e re është një projekt i ri politik që nuk ka të bëjë me LDK-në e të kaluarës”, tha Peci para nisjes së seancës.

Në takim Kurtit sot i shkoi vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai pas takimit tha se i ka kërkuar  kreut të VV-së që ta propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar, por nuk pati sinjale se do ta bëjë.

Ai theksoi se për PDK-në është e rëndësishme që situata të zhbllokohet, por që vota për Kryeparlamentarin s’mund të imponohet. /Reporteri.net/






Murati: Opozita të reflektojë, kemi bërë hapa tutje – i ftuam dy parti të tjera në takim

Reporteri

01 Maj 2025 | 9:57

Në objektin e Kuvendit të Kosovës ka arritur tashmë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se shpreson që të ketë reflektim nga opozita.

Ai para mediave tha se Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë lëvizje duke ftuar në takim krerët e dy partive opozitare.

“Ne kemi bërë propozimin tonë, kemi kryer obligimin kushtetues, është rradha që të votohet nga të gjithë deputetët, sepse është obligim i të gjithëve konstituimi i Kuvendit. Kemi bërë edhe hapa tutje, lëvizje, keni parë besoj me ftesën e kryeministrit Kurti drejtuar dy subjekteve të tjera, sepse siç e dini që tri partive më të madhe, u takon edhe pozita e nënkryetarit, në mënyrë që të kemi konsensus të lëvizim tutje, që mos të kemi bllokadë pas bllokade. Uroj që pas përgjigjes pozitive të njërit nga udhëheqësit e partive opozitare, në këtë rast të PDK-së, të ketë pasur reflektim që të lëvizet përpara dhe të themelohet institucionet”, tha ai.

Në takim Kurtit sot i shkoi vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai pas takimit tha se i ka kërkuar  kreut të VV-së që ta propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar, por nuk pati sinjale se do ta bëjë.

Ai theksoi se për PDK-në është e rëndësishme që situata të zhbllokohet, por që vota për Kryeparlamentarin s’mund të imponohet. /Reporteri.net/






Krasniqi: I kërkova Kurtit ta ndryshojë kandidatin për Kryeparlamentar, s’më dha sinjale që do ta bëjë

Reporteri

01 Maj 2025 | 9:45

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se në takimin me Kryetarin e VV-së, Albin Kurtin i ka kërkuar atij që ta mendojë për ta ndryshuar kandidaturën për Kryetar të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai theksoi se për PDK-në është e rëndësishme që situata të zhbllokohet, por që vota për Kryeparlamentarin s’mund të imponohet.

“I kërkova me ndrru kandidaturën për Kryetar të Kuvendit. Nuk mora sinjale që do ta bëjë. Nuk mund të interpretoj diçka që nuk mora”.

“I kam thënë edhe Kurtit Për PDK-në është shumë me rëndësi që të zhbllokohet kjo situatë që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të hyjmë në afatet kushtetutese për zgjedhjen e qeverisë, dhe për të ndodhur kjo padyshim, privilegji i takon partisë që ka dalë e para”.

“Por meqenëse është hera e parë që një parti që s’ka shumicë parlamentare po kërkon me zgjedh kryetarin, atëherë një gjë e tillë nuk mund të imponohet. Kshtu që i thash edhe Kurtit që mirë me mendu për kandidatura të tjera, ne nuk kemi pasë qëndrim bllokues, s’na takon neve me ja zgjedh kryetarin e Kuvendit partisë që ka dalë e para”, tha Krasniqi para gazetarëve, ndërsa shtoi se duhet votuar një figurë e pranueshme, derisa përmendi dy opsionet që kanë dhënë kolegë të tij.

Sa i përket çështjes së nënkryetarëve që Kurti e kishte përmendur edhe në letrën për takim, Krasniqi tha se kjo çështje është ndaras dhe se votohen si pako, e nuk do diskutim fare.

“Nënkryetarët as që diskutohen, janë çështje ndaras. Është pako, votohen kandidatët e tri partive më të votuara. Kjo është krejt çka kemi diskutu. Nuk besoj që ka ndryshu si situatë, por ta dinë edhe tjerët që PDK-ja nuk i heziton dialogut edhe diskutimeve me këdo”, vazhdoi ai.

/Reporteri.net/






Përfundon takimi Kurti-Krasniqi për ngërçin në Kuvend

Reporteri

01 Maj 2025 | 9:38

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë, njëherit kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe Kreut të PDK’së, Memli Krasniqit, shkruan Reporteri.net.

Takimi ka zgjatur rreth gjysmë orë.

Aktualisht para gazetarëve është duke u deklaruar Krasniqi.

Kurti i ftoi dje në takim dy liderët e partive të mëdha PDK dhe LDK, por nga LDK refuzuan pjesëmarrjen.

Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan qëndrimin refuzues të kësaj partie.

Takimi vjen para një tentative të re, e nënta me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, do të bëhet sot.

Kjo pritet të jetë seanca e nëntë, çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Kandidatja për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tashmë gjashtë herë ka dështuar të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

PDK, LDK dhe AAK disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë.

Seanca e sotme, pritet të mbahet në ora 10:00./Reporteri.net






Nis takimi i Kurtit me Krasniqin në kërkim të një zgjidhje për ngërçin në Kuvend

Reporteri

01 Maj 2025 | 8:43

Ka nisur takimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti me kryetarin e Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, para tentativës së nëntë për konstituim të Kuvendit.

Kurti i ftoi dje në takim dy liderët e partive të mëdha PDK dhe LDK, por nga LDK refuzuan pjesëmarrjen.

Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan qëndrimin refuzues të kësaj partie.

Takimi vjen para një tentative të re, e nënta me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, do të bëhet sot.

Kjo pritet të jetë seanca e nëntë, çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Kandidatja për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tashmë gjashtë herë ka dështuar të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

PDK, LDK dhe AAK disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë.

Seanca e sotme, pritet të mbahet në ora 10:00. /Reporteri.net/

Kliko lajmet posht

Leave a Reply

turqisht.com
Merrni njoftimet per lajmet e fundit PO JO