Inspektorati për Trashëgimi Kulturore paralajmëron masa ligjore ndaj thirrjeve për mosrespektim të institucioneve

Inspektori për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, ka reaguar ndaj përfoljeve dhe thirrjeve publike për mosrespektimin e akteve të institucioneve të trashëgimisë kulturore duke theksuar se çdo veprim i ndërmarrë nga këto institucione është i mbështetur në akte administrative të kontrollueshme nga organet e shkallës së dytë dhe nga gjykatat e vendit.
Hakaj paralajmëroi se nuk do të tolerohen presionet ndaj zyrtarëve publikë dhe kujtoi se Kodi Penal i Republikës së Kosovës e sanksionon thirrjen për rezistencë si vepër penale duke nënvizuar se kushdo që nxit mosrespektim të vendimeve ligjore do të përballet me pasoja ligjore.
Ai sqaroi se sot nuk ka pasur ndalim të punimeve në zonën e mbrojtur, pasi nuk është konstatuar ndonjë ndërhyrje brenda kufijve të saj. Megjithatë, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) dhe Inspektorati për Trashëgimi Kulturore mbeten në mbikëqyrje të vazhdueshme dhe do të ndërhyjnë menjëherë nëse konstatohet cenim i zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës (QHP).
Hakaj theksoi gjithashtu se për çdo veprim të paligjshëm do të ndërmerren masa ndalimi dhe kallëzim penal sipas neneve 354 dhe 355 të Kodit Penal të Kosovës. Në fund, ai u distancua nga çdo koment privat i bërë jashtë detyrës zyrtare duke theksuar se ITK mbetet e përkushtuar në respektimin dhe zbatimin e ligjit. /Kosova.info/