Krasniqi kritikon insistimin e Haxhiun si kryetare të Kuvendit: Nuk kalon ajo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër pas dështimit të përsëritur të Albulena Haxhiut për të marrë postin e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk mund të vazhdohet me të njëjtin propozim për herën e shtatë. Ai e quajti të turpshme dhe dëmtuese insistimin për të propozuar Haxhiun në këtë post, raporton Gazeta Sinjali.
“S’kanë shumicë parlamentare…Ndërrojeni kandidatin, sepse është e turpshme dhe dëmtuese për vendin tonë…Dojnë me ba me zor Haxhiun, nuk kalon ajo, i kanë edhe 47 tjerë…Nuk mundesh 7 herë me provu të njëjtin njeri, dhe ne prap me ardhë të martën, e me ardh prap me të njëjtin njeri”, tha Krasniqi.
Ai e akuzoi kryeministrin e dorëhequr Albin Kurti për bllokimin e procesit, duke shtuar se ai po sakrifikon Haxhiun vetëm për të mos u bërë kryeministër.
“Bllokada është për Kurtin, po e sakrifikon Albulena Haxhiun, sepse ai nuk po mundet me u ba kryeministër,” theksoi Krasniqi.