Krimi në qendër të Klinës, Gjykata e dënon Tush Frrokun me 21 vjet burgim për vrasjen e mikut

Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtor Tush Frrokajn për veprat penale “vrasje” , “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe veprën penale “shtrëngim”.
Ai është dënuar në total me 21 vjet burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton gazeta online Reporteri.net.
Frrokaj është dënuar me 20 vjet për vrasje dhe 1 vit burgim për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe veprën penale “shtrëngimi”.

Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, Nasuf Hasani, avokat i palës së dëmtuar – familjes së viktimës, për gazetën online Reporteri.net, ka thënë se është i pakënaqur me dënimin e Themelores, duke paralajmëruar ankesë në Apel. Për këtë palët kanë afat 30 ditë.
Ndryshe, sipas aktakuzës Frrokaj në korrik të vitit 2023, e ka vrarë Anton Prelajn brenda një kafeterie në qendër të qytetit të Klinës. Frokaj ishte i martuar me motrën e të ndjerit.
Sipas aktakuzës, Tush Frroku ka shtënë tetë herë me revole në drejtim të viktimës duke e lënë në vend të vdekur. Me plumbat e shkrepur Anton Prelaj mori plagë në fyt, në nënsqetull, krahun e majtë dhe të djathtë, shpinë.
Përveç vrasjes i njëjti kishte rrezikuar edhe persona të tjerë të cilët ishin në hapësirën e kafeterisë.
Sipas aktakuzës, pas kryerjes së veprës penale, i akuzuari Frokaj në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë”, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur. Me këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”. /Reporteri.net/