maxresdefault

Me shpërblimet për të arrestuarit, Serbia rrëzon maskën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare

Me shpërblimet për të arrestuarit, Serbia rrëzon maskën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare


Qeveria e Serbisë ka miratuar vendimin për të ndarë një ndihmë financiare prej 300 mijë dinarësh (rreth 2,559 euro) për secilin individ të arrestuar në Kosovë nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë viteve 1998–1999. Ky vendim, i justifikuar nga autoritetet serbe me pretendimin se procedurat gjyqësore në Kosovë janë “të fabrikuara” dhe përbëjnë “përndjekje politike”, është cilësuar si një akt flagrant i mbështetjes shtetërore për individë të dyshuar për krime të rënda ndërkombëtare.

Gurakuç Kuçi, Hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, thekson se ky veprim paraqet një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të promovuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Ai vlerëson se vendimi i Serbisë është i krahasueshëm me praktikat e Federatës Ruse pas aneksimit të Krimesë, ku Moska ofroi mbështetje për individët e akuzuar për krime në territorin e Ukrainës.

Sipas Kuçit, Serbia, duke refuzuar të hetojë dhe ndjekë penalisht autorët e krimeve të luftës dhe sulmeve terroriste kundër Republikës së Kosovës, shkel një sërë aktesh ndërkombëtare, përfshirë:

Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948), që imponon detyrimin për të ndëshkuar autorët e krimeve më të rënda;

Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (1998), që synon eliminimin e pandëshkueshmërisë për krimet e luftës dhe kundër njerëzimit;

Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), që kërkon bashkëpunim aktiv për ndërtimin e drejtësisë në Kosovë.

Në këtë kontekst, Serbia, duke përdorur një diskurs diplomatik që pretendon respektim të së drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që praktikisht saboton proceset e drejtësisë, dëshmon për një vazhdimësi të politikave të regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Ky model i sjelljes, sipas Kuçit, përbën një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor, duke rritur tensionet ndëretnike dhe minuar përpjekjet ndërkombëtare për pajtim. Në vend të një faktori të paqes dhe stabilitetit, Serbia shfaqet si një burim i vazhdueshëm destabilizimi në rajon. /Kosova.info/

Kliko lajmet posht

Leave a Reply

turqisht.com
Merrni njoftimet per lajmet e fundit PO JO