Momenti kur shpërthimi me bombë në Moskë i merr jetën gjeneralit rus

Një atentat i përgjakshëm me bombë ka tronditur sot periferinë e Moskës, duke i marrë jetën një prej figurave më të larta të ushtrisë ruse, gjeneralit Jaroslav Moskalik.
Moskalik, nënkryetar i drejtorisë kryesore të operacioneve të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, u vra sapo kaloi pranë një automjeti të parkuar në qytetin Balashikha, ku ishte vendosur një mjet i mbushur me eksploziv. Pajisja u aktivizua në distancë dhe shpërthimi ka qenë fatal.
Pamjet e rënda të atentatit janë kapur nga kamerat e sigurisë dhe po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale ruse. Ato tregojnë momentin kur makina shpërthen fuqishëm, duke u përfshirë më pas nga flakët.

Autoritetet ruse kanë konfirmuar vrasjen e gjeneralit, ndërsa Komiteti Hetimor ka hapur një çështje penale për vrasje me paramendim. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë deklaratë nga Kievi, por atentati mbart të gjitha shenjat e operacioneve të mëparshme që janë lidhur me inteligjencën ukrainase.
Ky sulm ndodh në një moment tepër të ndjeshëm për Moskën, ndërsa presidenti Vladimir Putin zhvillonte një takim të mbyllur në Kremlin me të dërguarin e Donald Trump, Steve Ëitkoff, për çështjet e paqes në Ukrainë.
Gjenerali Moskalik, 59 vjeç, kishte një profil të lartë në hierarkinë ushtarake dhe ishte përfshirë në misione diplomatike ndërkombëtare, përfshirë edhe bisedimet me Ukrainën në vitet e mëparshme. Ministria e Mbrojtjes ruse e përshkruante atë si një nga figurat më me ndikim në strukturat operative të shtetit rus.