Mori kredi në emër të klientëve, arrestohet punëtori i bankës

Kërkesën e bëri në emër të tjetërkujt, por paratë i futi në xhepin e vet.
Kështu Afrim Hoti, që ishte analist kreditor në një institucion mikrofinanciar në Prizren dyshohet se veproi gjatë viteve 2017-2019, duke keqpërdorur të dhënat e 40 klientëve e përvetësuar të hollat e marra kredi në emrin e tyre.
Këtë ndodhi në “Kosovo Grameen – Arco Baleno”, që shërben për dhënien e kredisë kryesisht për gra që kanë kushte të rënda, e kuptoi krejt rastësisht drejtuesi i saj.
Hetimet ndaj Hotit nisën qysh në atë kohë, por i njëjti qe arratisur nga Kosova, andaj ishte e pamundur që të gjykohet, raporton Klan Kosova.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të martën se se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me datë 21 prill 2025 ka arrestuar të dyshuarin A.H., dhe për të njëjtin ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.
Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për të arrestuarin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar dhe mashtrim
“A.H., ishte arratisur nga Republika e Kosovës që nga viti 2021, dhe ndaj tij kishte urdhër-arrest dhe letër-rreshtim (vendor e ndërkombëtar). I njëjti, është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 77, par.1, “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 par.1 dhe “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 dhe nenin 77, par.1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, raporton Telegrafi.
E tek të hënën ra në duart e policisë, madje edhe iu caktua masa e paraburgimit për 30 ditësh.
Nga krejt ky trillim, Afrim Hoti dyshohet se përfitoi rreth 150 mijë euro.