Nuk ka kthim pas, përgjigjja do të jetë e merituar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) duke theksuar se ky veprim përbën një sulm ndaj vetë shtetit dhe institucioneve të tij.
Vitia ka deklaruar se askush që tenton të vërë në sprovë autoritetin institucional nuk do të ketë sukses dhe se përgjigjja ndaj këtij akti do të jetë e qartë dhe e merituar.
“Kushdo që ka provuar të vendosë në sprovë shtetin dhe institucionet e vendit do të dështojë. Sulmi ndaj ushtruesit të detyrës së Drejtorit të QKUK-së do të marrë përgjigjen që meriton. Nuk ka kthim pas, sepse asnjë prej nesh nuk do ta lejojë këtë në asnjë rrethanë,” theksoi Vitia në reagimin e tij.
Ai shtoi se sistemi shëndetësor është aset i vendit dhe nuk mund të vihet nën presion përmes frikës apo dhunës, ndërsa garantoi mbështetjen e plotë për stafin dhe drejtuesit institucionalë në kryerjen e detyrave të tyre. /Kosova.info/