Opozita e palëkundur kundër Albulena Haxhiut për kryeparlamentare: LVV-së i kërkohet zgjidhje

Para vazhdimit të seancës për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, përfaqësuesit e partive opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Nisma në njërën anë dhe VV e Guxo, në anën tjetër – konfirmuan se qëndrimet e tyre mbeten të pandryshuara. PDK dhe LDK nuk e mbështesin Albulena Haxhiun si kandidate të LVV-së duke i kërkuar kësaj të fundit të gjejë një zgjidhje për të dalë nga bllokada institucionale.
Murati: VV-ja nuk e ndryshon emrin e kandidatit për kryeparlamentar
Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati ka konfirmuar se edhe sot ky subjekt politik do ta propozojë kandidaten e njëjtë për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se si parti fituese e zgjedhjeve i takon ta propozojnë kandidaten për kryetare dhe ajo do të jetë edhe kësaj radhe Albulena Haxhiu. Ai u ka bërë thirrje për votimin e saj edhe deputetëve të tjerë për ta zhbllokuar procesin. “Siç e kam thënë edhe herën e kaluar propozimi ynë, si parti fituese dhe e drejtë kushtetuese e jona, është Albulena Haxhiu. Ftoj edhe njëherë të gjitha partitë që me votën e tyre të marrin pjesë dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit sepse kjo është detyrë e të gjithë deputeteve sipas Kushtetutës”, deklaroi Murati.
Ai ka shprehur shpresën që sot do të ketë një rezultat të kënaqshëm në Kuvend në mënyrë që të hapet rruga dhe të zhbllokohen institucionet, që sipas tij mandej të vazhdohet me procedurat tjera kushtetuese”.
“Ne në vazhdimësi kemi bërë ftesë dhe thirrje që të konsiderojnë votimin në mënyrë që të zhbllokohet procesi sepse nuk është vetëm pozita e kryetarit por edhe pozita e nënkryetarëve nga tri subjektet më të mëdha në kuvend dhe patjetër që edhe ata emra duhet të dakordohen dhe të ecet tutje”, tha Murati.
Sveçla konfirmon se sërish është Haxhiu kandidate për kryeparlamentare
Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, derisa po hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës, tha shkurt para gazetarëve se Albulena Haxhiu do të jetë sërish e kandiduara e tyre për kryeparlamentare.
A kemi diçka ndryshe sot? Ishte pyetja që gazetarët i parashtruan Sveçlës.
“A po pritni ju diçka ndryshe. Sigurisht që është Albulena Haxhiu”, tha shkurt Sveçla.
Faton Peci nga Partia Guxo – që në zgjedhje garoi në kuadër të listës së LVV-së – tha para nisjes së seancës të martën, se propozimi për kryeparlamentare mbetet i njëjtë edhe në vazhdim të seancës.
Qalaj: Haxhiu tek PDK-ja nuk kalon
Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk ka ndryshuar qëndrimin për Albulena Haxhiun.
“Sa i përket PDK-së, Albulena Haxhiu nuk kalon”, tha ai, duke shtuar se i përket LVV-së që të ndërmarrë nismë që të gjendet një gjuhë e përbashkët që të ecet përpara.
Zemaj: Presim reflektim nga Vetëvendosje
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se presin reflektim nga ana e partisë që fitoi shumicën parlamentare në zgjedhje sa i përket konstituivit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas Armend Zemajt, deputet i zgjedhur i këtij subjekti duket se LVV-ja nuk ka interesim meqë siç thotë ai nuk ka ende marrëveshje me ndonjë subjekt politik që siguron mandatin qeverisës.
“Ne presim që të reflektojë LVV-ja, të sillet konform rezultatit zgjedhor. Duket se nuk kanë interesim. Nuk kanë marrëveshje me ndonjë subjekt politik që siguron mandatin e qeverisë dhe kjo është ajo e cila po ndodhë në Kuvendin e Kosovës. Nuk mund të ndryshojmë ne qëndrim, sepse është e paarsyeshme dhe është tepër e pa përfillshme sepse ne nuk e kemi mandatin e të parit të krijojmë institucionet e reja të Republikës së Kosovës”.
Ai tha se prandaj edhe nuk ka deklarime nga ana e kryeministrit në detyrë.
I pyetur nëse und të shkohet në zgjedhje të parakohshme bashkë me ato lokale, Zemaj tha se kjo nuk duhet të lejohet sepse do të krijohej një kaos.
“Nuk do të lejohet , ndoshta mund të ketë ambicie që të ketë kamuflimi me datën e zgjedhjeve lokale, por kjo nuk duhet as të mendohet, sepse kushdo që mendon të kemi dy palë zgjedhje të njëhershme nuk ia do të mirën as vendit as demokracisë, por as pushtetit lokal sepse atëherë do të na krijohej një kaos me tri lista zgjedhore”, tha Zemaj.
Haradinaj: Nëse nuk propozohet kandidat tjetër, do ta kemi situatën e njëjtë
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar skenarin e njëjtë në rast të ri-propozimit të Albulena Haxhiut si kryekuvendare.
“Sikurse e dini kemi dhënë një zgjidhje që të propozojnë kandidatët e tjerë unifikues, nëse kjo ndodh me siguri se do të votohet. Nëse jo po më duket që do të kemi situatën e njëjtë”, ka thënë ai para mediave.
I pyetur nëse do të pranonte një takim partiak me Lëvizjen Vetëvendosje, Haradinaj ka mohuar prezencën e tij.
“Personalisht jo, por zonja Time Kadrijaj që është nënkryetare e Aleancës, ka autorizim nga unë dhe kryesia që të konsultohet me zotin Deharin. Takim partiak jo, nuk e vlerësojmë”, ka thënë ai.
Haziri: LVV duhet të mendojë deputetin e parë i cili është më i pranueshëm
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, deklaroi se nuk ka marrëveshje për qeveri dhe se Kuvendi po mbahet peng.
Me të mbërritur për seancë konstituive ku pritet të votohet propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kreun e Kuvendit, ai para gazetarëve u shpreh se për të dhe LDK-në partia fituese duhet të mendojë deputetin e parë i cili është më i pranueshëm, pasi siç tha, vetëm propozimi nuk është i mjaftueshëm.
Ndërkaq i pyetur lidhur me rolin e presidentes në raste të tilla, Haziri tha se ajo nuk ka asnjë detyrë në këtë çështje.
“Ajo vetëm duhet të garantojë funksionimin e institucionit. Ajo duhet të rrijë në këndin e vet dhe të mos përzihet. Ajo nuk mundet të negociojë emrin e një partie”, tha Haziri.
Limaj: S’ka lëvizje, situata do jetë e njëjtë – ky është realiteti
Kreu i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se për votimin e kryekuvendarit duhet bërë marrëveshje politike sikurse në vitin 2014 dhe 2017, në mënyrë që të sigurohet shumica parlamentare.
Ai nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, në rast të pamundësisë së krijimit të marrëveshjes.
“Kthehuni prapa në 2014 e 2017. Janë vonuar në këto dy vjet sepse jashtë parlamentit janë ndërtuar marrëveshjet politike dhe me to pastaj, janë ndërtuar shumica. Besoj se kjo duhet të jetë rruga e vetme. Nisma do të jap kontributin e vet për të evituar procesin e zgjedhjeve që është e panevojshme, por jo me çdo kusht. Çdo proces e ka përfundimin e vet. Do të donim që Kosova t’i ketë institucionet e veta, por nëse nuk ka zgjidhje, zgjidhje tjetër janë zgjedhjet” , ka thënë ai duke hyrë në Kuvendin e Kosovës.
Limaj ka thënë se përderisa nuk ka ndonjë lëvizje të kandidatit për kryekuvendar, realiteti do të jetë i njëjti sikurse në seancat paraprake.
“Zgjidhja është që partia që ka të drejtën për të propozuar kryetarin e kuvendit duhet t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të ndërtuar shumicën parlamentare. Shumica parlamentare nënkupton koalicionin qeverisës edhe për Parlament edhe për Qeveri”, ka thënë Limaj. /Kosova.info/