maxresdefault

Përfundon gjykimi për përvetësimin e mbi 1 milion eurove, palët japin fjalën përfundimtare

Përfundon gjykimi për përvetësimin e mbi 1 milion eurove, palët japin fjalën përfundimtare


Prishtinë – Në gjykimin ndaj Mendim Sojevës dhe Ganimete Gashi-Ahmeti, është dhënë fjala përfundimtare nga prokurorja speciale, Hebibe Statovci-Salihu, si dhe nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Fillimisht, prokurorja Statovci-Salihu deklaroi se, bazuar në të gjitha provat materiale dhe personale, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Hyrje në sistemet kompjuterike”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, prokurorja Statovci-Salihu tha se dëshmitë e dëshmitarëve kanë sqaruar në detaje dhe kanë specifikuar rrethanat e rastit, duke vërtetuar përshkrimin e dhënë në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas saj, dëshmitarët kanë sqaruar nëse ka pasur ndonjë udhëtim zyrtar, nëse janë pranuar avanse, dhe nëse po, cila ka qenë shuma e tyre.

Për rrjedhojë, Statovci-Salihu theksoi se nuk ekziston asnjë rrethanë që do ta përjashtonte përgjegjësinë penale, prandaj kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Në fund, prokurorja Statovci-Salihu kërkoi që të njoftohet Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me moszbatimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për ofrimin e dokumentacionit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, që ka të bëjë me grupin e ekspertëve që kanë përpiluar ekspertizën.

Sipas saj, vetë grupi i ekspertëve, si në ekspertizë ashtu edhe gjatë seancës gjyqësore, kanë bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë, përkundër ekzistencës së urdhëresës së gjykatës, nuk i ka ofruar dokumentet e kërkuara.

Tutje, fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësi i Sojevës, avokati Ali Beka, duke theksuar se në këtë rast nuk janë sqaruar të gjitha rrethanat deri në fund. Andaj, sipas tij, kur rrethanat mbesin të pasqaruara, dispozitat ligjore duhet të interpretohen në favor të të akuzuarve.

Beka shtoi se është për të ardhur keq që Prokuroria nuk ka bërë përpjekje të kuptojë se si funksionon Ministria e Shëndetësisë dhe vetë Agjencia për Pajisje dhe Produkte Medicinale.

Sipas Bekës, në disa raste Prokuroria pretendon se ka mungesë të plotë të dokumentacionit për veprën penale të përvetësimit në detyrë, në disa raste thotë se ka dokumentacion gjysmak, dhe në disa raste nuk ka fare dokumentacion.

Po ashtu, Beka theksoi se Prokuroria nuk ka bërë përpjekje të sqarohet se cilat dokumente kanë munguar, që pastaj të arrihej në përfundimin se të akuzuarit kanë kryer veprën penale.

Fjalën përfundimtare e dha edhe mbrojtësi i Gashi-Ahmetit, avokati Skender Musa, i cili theksoi se Prokuroria pretendon se është kryer veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike” vetëm me deklaratat e dy dëshmitarëve.
Sipas Musës, hyrja në sistem është një procedurë komplekse dhe se në departamentin e thesarit ekzistojnë procedura të detajuara, duke nisur nga përdorimi i kamerave të sigurisë, dhe çdo hyrje dhe dalje regjistrohet.

Po ashtu, Musa theksoi se është e pamundur të merret fjalëkalimi i një zyrtari dhe se Prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë nëse janë bërë të gjitha pagesat.

Sipas Musës, nuk ka asnjë teori që të mund të shkohet në një vizitë jashtë vendit pa e ditur drejtori, kryeshefi dhe sekretari i ministrisë. Ai theksoi se, sipas tij, njëzet persona duhet të vihen në dijeni kur një zyrtar i shtetit shkon në një vizitë zyrtare.

Me dhënien e fjalës përfundimtare, ka përfunduar edhe gjykimi në këtë rast.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre, thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj–Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletëtërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri më 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 skuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje me të akuzuarën Ganimete Gashi–Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Kliko lajmet posht

Leave a Reply

turqisht.com
Merrni njoftimet per lajmet e fundit PO JO