Prishtina nuk ndalet, puna do të vazhdojë!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj tentativave për bllokimin e punimeve në qendër të Prishtinës duke i cilësuar si akte të qëllimshme bllokimi nga ata që “nuk dinë tjetër veçse të pengojnë”.
Në një deklaratë publike, Abdixhiku tha se Komuna e Prishtinës i dha një përgjigje dinjitoze këtyre tentimeve duke vazhduar punimet pavarësisht vendimit të një Komisioni në një Ministri, të cilin ai e përshkroi si të përbërë nga “një a dy inspektorë partiakë dhe idhnakë”.
“Një kryeqytet i tërë nuk mund të mbahet peng për arsyetime të fabrikuara si mbrojtje e trashëgimisë,” tha Abdixhiku duke ironizuar se “trashëgimia” që po mbrohet është në fakt “asfalt i gërmuar dhe rrënoja”.
Ai akuzoi kundërshtarët politikë për një bllokadë sistematike trevjeçare ndaj projekteve madhore të qytetit duke përmendur:
bllokimin e vazhdueshëm të punimeve në Sheshin “George Bush”;
pengesat për mbikalimin në Dragodan dhe nënkalimin te Kuvendi;
ndalimin e avancimit të Rrugës A dhe Unazës së Jashtme;
mosmiratimin e Planit Zhvillimor Komunal dhe pengimin e ligjeve për tatimet vetanake.
“Duhesh të jesh vërtet i mbrapshtë për një sjellje të tillë. Duhesh të urresh shumë një qytet të tërë për ta bllokuar kaq shumë!” theksoi Abdixhiku.
Në përfundim, ai shprehu bindjen se Prishtina do të fitojë, jo vetëm tani, por edhe në vjeshtë:
“Punimet nuk do të ndalen! Kjo gërmadhë shpejt do të shndërrohet në një ndër sheshet më ikonike të vendit!”. /Kosova.info/