Qeveria në detyrë po i lë mësimdhënësit pa të drejta – RADIO STAR 96.4

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me vonesat në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Sipas reagimit të dërguar për media, SBASHK e quan këtë situatë një “bllokim të qëllimshëm” të shkaktuar nga mungesa e vullnetit politik për të arritur një marrëveshje për kryetarin e Kuvendit.
Sindikata kritikon qeverinë në detyrë për injorimin të kërkesave të mësimdhënësve gjatë katër viteve të fundit, përfshirë moszbatimin e Kontratës Kolektive, vonesat në miratimin e Ligjit për Pagat dhe mospërfshirjen në vendimmarrje të përfaqësuesve të punëtorëve të arsimit.
SBASHK ka shprehur gjithashtu shqetësim për përkeqësimin e gjendjes sociale, duke theksuar se çmimet e produkteve bazë si qumështi dhe buka janë rritur deri në 20%, pa ndonjë ndërhyrje nga ana e institucioneve shtetërore për të mbështetur qytetarët.
Në deklaratë thuhet se refuzimi i bashkëpunimit nga kryeministri i dorëhequr për zgjidhjen e krizës politike tregon “mungesë serioziteti dhe përkushtimi ndaj interesit publik”.
Në këtë reagim SBASHK kërkon:
Formimin e menjëhershëm të institucioneve legjitime,
Rifillimin e dialogut sindikal dhe institucional,
Adresimin urgjent të kërkesave të mësimdhënësve dhe
Marrjen e masave kundër rritjes së çmimeve.
Në këtë reagim Sindikata paralajmëron se, nëse gjendja vazhdon, do të shqyrtojë forma të ndryshme të reagimit sindikal dhe qytetar për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve të arsimit./rtk