Sekuestrohen shtatë armë zjarri dhe municion në Prishtinë

Policia e rajonit të Prishtinës ka njoftuar se gjatë javës së shkuar ka sekuestruar shtatë armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, municion, si dhe pesë thika.
Sipas njoftimit në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, policia ka realizuar 165 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 62 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.
“Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa. Gjatë kësaj janë sekuestruar 7 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, dhjetëra copë municione, si dhe 5 thika”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq aktivitetet policore në sferën e sigurisë në trafikun rrugor kanë rezultuar me shqiptimin e 4125 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 767 të identifikuara nga automjetet inteligjente si dhe nga veturat me radar mobil.