Faton Peci: Propozimi i PDK-së për zgjedhje të jashtëzakonshme është i arsyeshëm

Ministri i Bujqësisë në detyrë, Faton Peci, ka komentuar propozimin e bërë nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen në muajin qershor. Faton Peci tha se ky propozim nuk duhet të hidhet poshtë dhe se data 15 qershor mund të jetë një ndër datat e përshtatshme për organizimin e zgjedhjeve të reja.
Faton Peci theksoi se nuk mund të votojnë për mandatet e deputetëve të tjerë, por nuk përjashton mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Meqenëse, PDK-ja ka dalë me propozime konkrete. E pash që kryetari i kësaj partie, ka deklaruar që data 15 qershor mund të jetë njëra prej datave të përshtatshme për zgjedhje të reja. Unë mendoj që nuk është propozim i keq,” deklaroi Faton Peci.
Ai shtoi më tej: “S’po them që e përkrahi, por s’është propozim që duhet me hedh poshtë. Bile, ka bërë mirë që nuk ka bërë një propozim të mëhershëm, posaçërisht me atë pjesën që ndërlidhet me datën 12 qershor, për shkak që është Dita e Çlirimit”.
Sipas Faton Peci, është më e udhës që kjo festë të respektohet dhe pas saj të shikohet mundësia që më 15 qershor, ose në ndonjë datë tjetër të përshtatshme, të mbahen zgjedhjet e reja.
“Ta festojmë këtë festë, dhe është mundësia që edhe data 15 qershor të jetë një datë që potencialisht, ose një datë tjetër e mbajtjes së zgjedhjeve të reja”, tha Faton Peci për Teve1.
Në fund, Faton Peci u shpreh se nuk po bëjnë kalkulime politike për opsionin e zgjedhjeve, por theksoi se një vendim i tillë është legal dhe se Kushtetuta e Kosovës e mundëson shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme kur është e nevojshme.