Shoqatat po manipulojnë realitetin, rrezik serioz për shëndetin publik

Presidenti i Urdhrit Profesionist të Mjekut Veterinar Shqiptar, Ervin Resuli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së përbashkët të Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit dhe Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit, të publikuar më 26 prill 2025. Në një prononcim si konsumator, prind dhe njohës i mirë i fushës, Resuli e cilëson këtë deklaratë si të njëanshme, jo korrekte dhe të diktuar nga presioni i Ministrisë së Bujqësisë dhe autoriteteve vartëse.
Sipas tij, deklarata nuk reflekton një shqetësim real të konsumatorëve dhe tenton të fshehë faktin se, bazuar në të dhënat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), disa nga kompanitë kryesore të përpunimit të qumështit në vend kanë rezultuar jokonforme për prani të aflatoksinës M1 — një substancë kancerogjene e njohur ndërkombëtarisht dhe e lidhur me rritjen e rasteve të kancerit të mëlçisë.
Resuli akuzon shoqatat për manipulim të realitetit dhe minimizim të rrezikut serioz që i kanoset shëndetit publik duke theksuar se problemi buron nga përdorimi i misrit të ndotur të importuar, kryesisht nga Serbia, dhe nga përpunimi i qumështit të importuar me cilësi të ulët. Ai thekson se, sipas monitorimeve zyrtare gjatë vitit 2024, qumështi i blegtorëve vendas ka rezultuar i pastër nga aflatoksina M1.
“Është për të ardhur keq që, në vend që të kërkonin forcimin e kontrolleve dhe mbështetje për prodhimin vendas, këto shoqata kanë zgjedhur të justifikojnë një situatë alarmante të pasigurisë ushqimore”, deklaron Resuli.
Ai e përfundon reagimin e tij duke theksuar se siguria ushqimore nuk mund të jetë çështje deklaratash të zbrazëta, por duhet të bazohet në fakte laboratorike, ndershmëri ndaj konsumatorit dhe mbrojtje reale të shëndetit publik. Çdo tentativë për të relativizuar rrezikun e aflatoksinës, sipas tij, është një tradhti ndaj qytetarëve shqiptarë, fermerëve të ndershëm dhe të ardhmes së sigurisë ushqimore të vendit. /Kosova.info/