Vetura e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të QKUK-së shpërthen në parking gjatë mbledhjes së Bordit

Një incident i papritur ka ndodhur sot në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, ka shpërthyer.
Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Ngjarja ka ndodhur gjatë përgatitjeve për fillimin e mbledhjes së Bordit Drejtues të ShSKUK-së, e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore.
Dëmtimi i veturës ka ndodhur nën rrethana ende të panjohura dhe ka shkaktuar shqetësim për sigurinë në këtë ambient.
“Sot, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës.
Dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së. Për incidentin janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
ShSKUK shpreh shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse”, thuhet në njoftim.
Pas shpërthimit, janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.