Zëri i saj nuk heshti kurrë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar sot aktivisten e njohur për të drejtat e njeriut, Nataša Kandić, me Çelësin e Qytetit të Prishtinës, si shenjë mirënjohjeje për jetën që ia ka kushtuar drejtësisë, së vërtetës dhe pajtimit.
Në ceremoninë e dorëzimit, Rama tha se Kandić është një nga ato zëra të rrallë që nuk heshti, edhe atëherë kur bota zgjodhi të mbyllte sytë përballë vuajtjeve.
“Me guximin e saj të palëkundur, ajo i dha zë dhimbjes, i dha drejtësi kujtesës dhe nder viktimave, pa dallim kombi apo gjuhe. Në kohët më të errëta, ajo zgjodhi të qëndrojë në anën e të vërtetës duke rrezikuar gjithçka për një ideal më të madh: dinjitetin njerëzor”, theksoi Rama.
Ai shtoi se puna dhe përkushtimi i Kandić na kujtojnë se pa të vërtetën nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, as në Kosovë, as në rajon.
“Sot, në një ditë që për ne është shumë më tepër se një datë në kalendar, Prishtina i thotë: faleminderit!”, përfundoi ai.
Duke folur gjatë ceremonisë së pranimit të çmimit, Kandiq tha se ka menduar se si do ta pranojë këtë nderim më 27 prill, pikërisht në një datë kur në Kosovë përkujtohet masakra e Mejës, ku u vranë 376 njerëz në vitin 1999.
“Kam menduar shumë si ta pranoj çelësin pikërisht sot. Ka qenë shumë e vështirë të mendoj për këtë”, theksoi Kandiq.
Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve nga lufta e fundit 1998-1999.
“Të gjithë e dimë çfarë ndodhi më 27 prill. Të gjithë ne që sot ishim në Mejë pamë familjet pranë varreve, qirinjtë e ndezur, dhe e dimë që ende janë 15 persona të zhdukur, të cilët janë parë për herë të fundit më 27 prill dhe ende nuk dihet fati i tyre. Dua të besoj që nuk do të vijë prilli tjetër, 27 prilli tjetër, pa pasur familjet e tyre një varr ku të vendosin një qiri”, tha Kandiq.
Nataša Kandić është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe një prej figurave më të njohura në rajon për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dokumentimin e krimeve të luftës. /Kosova.info/